Bedër, Partner në Observatorin e Autonomisë Vendore (OLA)

Shqipëria përfaqësohet për herë të parë në Observatorin e Autonimisë Vendore (Observatory of Local Autonomy).

Krijuar më 28 janar 2008, (OLA) është një rrjet i studiuesve dhe shoqërisë civile, të gjithë të specializuar në studimin e autonomisë vendore dhe administrimin e pushtetit lokal. Rrjeti bashkon 64 ekipe hulumtuese. Një ose më shumë në çdo shtet anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe në Moldavi, Mali i Zi, Serbi, Rusi, Turqi dhe së fundi edhe në Shqipëri.

Shkolla e Lartë, Hëna e Plotë (Bedër) është i vetmi institucion që përfaqëson Shqipërinë në këtë rrjet, qëllimi i të cilit është studimi i autonomisë vendore, qeverisja multi-nivel, menaxhimi i pushtetit vendor, si dhe çështje të tjera që rrjedhin nga këto koncepte.

Bedër u përfaqësua në këtë rrjet nga z. Ferdinand Xhaferaj, Shef i Departamentit të Drejtësisë, i cili prezantoi një raport kombëtar mbi qeverisjen lokale të Shqipërisë në simpoziumin e fundit që OLA zhvilloi në Universitetin “Comenius” në Bratislavë – Sllovaki. Prezantim nga i cili u vlerësua me nota maksimale nga Asamblea e Përgjithshme e Observatorit të Autonimisë Vendore.