Dita Ndërkombëtare e Filozofisë në Bedër

E Enjtja e tretë e Nëntorit është Dita Ndërkombëtare e Filozofisë. Bazuar në rëndësinë e kësaj disipline në formimin njerëzor, UNESCO e shpalli këtë ditë si të tillë në vitin 2002. Me rastin e kësaj dite Kolegji Universitar “Bedër” organizoi një panel diskutimi rreth filozofisë.

Fjalën e hapjes e mbajti Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.

“Në shpirt, ku strehohet shpresa dhe arkivohet dashuria, sipas Platonit, dallohen tri pjesë: logjika, shpirtërorja dhe e dëshirueshmja. Përkojnë me tri virtyte: diturinë, guximin dhe urtësinë, secila prej tyre korrespondon me një pjesë të shpirtit”, citoi profesori.

Rektori, Prof. Dr. Gjergj Sinani referoi kumtesën “Pa filozofi nuk ka një shoqëri të drejtë dhe të denjë”.

“Themeli i filozofisë nuk ka nevojë të kërkohet larg. Ai ndodhet në faktin më të thjeshtë që Sokrati dhe Dekarti e kanë shprehur sipas mënyrës së tyre, kur i pari tha: “Njih vetveten” dhe i dyti: “Unë mendoj, pra unë jam”, u shpreh prof. Sinani.

Të pranishëm në diskutim ishin anëtarë të stafit dhe studentë të cilët drejtuan pyetje, ndanë pikëpamjet e tyre rreth filozofisë dhe diskutuan rreth kumtesës së vyer, që referoi rektori.