Zhvillohet programi artistik "Lajmëtari i fundit i së fshehtës"

Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubet studentore: “Oaze Shprese”, “Mesazhi i Jetës” dhe “Klubi i Muzikës”, organizuan një aktivitet në kujtim të lindjes së Profetit Muhammed a.s. Programi artistik ‘’Lajmëtari i fundit i së fshehtës’’ paraqiti një sërë pikash artistike, si lexim Kurani, këngë, poezi, pjesë teatrale etj.

Aktiviteti u hap me leximin e një pjese të Kuranit nga studenti i Shkencave Islame Fatijon Shemshedini. Më pas Msc. Hekuran Uzuni, pedagog pranë Departamentit të Shkencave Islame, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “Dija është një nga trashëgimitë më të vlefshme që na kanë lënë profetët, dhe ne si kërkues të asaj dije duhet t’i japim hakun.”

Nën moderimin e studentëve Sefer Vrana dhe Enxhi Hasmeta programi vazhdoi me interpretimin e disa ilahive, poezive e pjesëve teatrale nga studentët e Shkencave Islame që pasqyronin kohën kur ka jetuar Profeti Muhamed a.s dhe përcollën disa mesazhe të vyera për të pranishmit.

I ftuar në program ishte edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Laurel Luli, i cili falenderoi organizatorët dhe të pranishmit. Në fjalën e tij përshëndetëse ai u shpreh se: “Do të ishte mirë që jehona e zërit të profetit Muhammed a.s të vazhdojë akoma më tepër, të ngrihet lart, të zbukurohet, e të jetë më e pranishme në jetën tonë në të kundërt do të ishte një humbje më e madhe.” Ai theksoi faktin që aktivitete të tilla duhet të jenë më të shpeshta sepse në të tilla aktivitete ne bëjmë të mundur që të rikujtojmë rëndësinë e njohjes së profetëve.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Asoc Rahim Ombashi duke falenderuar organizatorët për realizimin e këtij programi, theksoi se gëzime të tilla na bëjnë të ndihemi më të plotësuar shpirtërisht.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Dekani i Studentëve z. Kasim Ilhan, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, drejtues të departamenteve të tjera si, Dr. Erlis Çela e Dr. Isa Erbas, si dhe pedagogë e studentë të shumtë nga KU Bedër.

Programi u mbyll me një interpretim të disa pjesëve të Mevludit nga Msc. Veton Tulla dhe studenti Abdullah Ziba.

Pas aktivitetit studentët e Departamenitit të Shkencave Islame organizuan një panair ushqimesh, të ardhurat nga shitja e të cilave do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet.