Universiteti Bedër është shpallur fitues i projektit Erasmus: “Facing global challenges : Environmental and Peace Education in Interreligious Cooperation for Teacher Training” (Përballja me sfidat globale: Edukimi mjedisor dhe paqësor në bashkëpunimin ndërfetar për trajnimin e mësuesve).
Projekti zhvillohet në konsorcium të përbërë nga pesë universitete prestigjioze nga Gjermania, Austria, Spanja dhe Malajzia, respektivisht Universiteti i Augsburgut, Gjermani; Universiteti Ndërkombëtar i Katalunjës, Barcelonë, Spanjë; Kolegji Universitar i Krishterë i Pedagogjisë së Fesë, Vjenë, Austri dhe Universiteti Ndërkombëtar Islam, Malajzi.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi pas zhvillimit të disa takimeve online midis grupit të punës, i përbërë nga koordinatorët e programit nga secili universitet dhe ekspertë të fushës së pedagogjisë së religjionit, gjatë datave 19-21 qershor 2024, grupi i punës ka zhvilluar takimin e parë fizik në Universitetin e Augsburgut, Gjermani, institucion, i cili është dhe lider i konsorciumit. Grupi i punës është pritur nga Prof. Dr. Elisabeth Naurath, lektore në Universitetin e Augsburgut dhe koordinatore e projektit.
Delegacioni nga Universiteti Bedër përfaqësohej nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, koordinator i programit për palën shqiptare, Dr. Skender Bruçaj dhe Cand. PhD. Rudina Çinari, lektorë në Departamentin e Shkencave Islame, Bedër.
Gjatë tre ditëve të takimit ndërkombëtar në Universitetin e Augsburgut ata kanë folur dhe diskutuar për detajet e implementimit të projektit në kuadrin e secilit vend, si dhe kanë shkëmbyer eksperiencat e punës në aspektin e rolit të edukimit fetar, dialogut ndërfetar në ruajtjen e mjedisit dhe ekologjisë, si dhe promovimin e vlerave universale në mbrojtje të Tokës.