Bedër çel vitin akademik 2018-2019

Kolegji Universitar Bedër çeli sot vitin e ri akademik 2018-2019. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në ambientet e universitetit ishin studentë, prindër, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve të ndryshme arsimore, si dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler.

Rektori i KU Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, gjatë fjalës së tij përshëndetëse shprehu gatishmërinë e universitetit për t’iu gjendur pranë studentëve në rrugëtimin e tyre. “Sot është fillimi i një faze të rëndësishme, gjatë së cilës ne bashkë me të gjithë stafin akademik dhe administrativ do të gjendemi pranë jush për t’ju ndihmuar në formimin sa më të mirë akademik dhe profesional. Bedër këtë vit vjen me departamentin e ri në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit, si dhe krahas rëndësisë së gjuhës angleze si pjesë e programeve mësimore, një vëmendje të veçantë do të ketë edhe përfshirja e gjuhës gjermane me anë të kurseve ekstra-kurrikulare si fillim, e më pas integrimin e saj edhe në kurrikulat e programeve mësimore”, theksoi Prof. Gjana.

I ftuar në këtë ceremoni, Ambasadori i Austrisë, Johann Sattler, i uroi studentët për një vit të suksesshëm akademik. “Kolegji Universitar Bedër po nis një rrugetim të ri, i cili me siguri do të jetë mbushur me sfida dhe me shumë momente kënaqësie. E them këtë sepse nga bashkëpunimi ynë në kuadër të vitit Kulturor Austri – Shqipëri 2018 ne kemi përjetuar një bashkëpunim të frytshëm dhe të suksesshëm me këtë institucion. Bashkëbunimi i frytshëm ka në themel komunikimin. Duke ditur se këtu komunikohet në të gjitha nivelet dhe në të dyja drejtimet, jam i bindur se profesorët dhe studentët, drejtuesit dhe administrata, do të përjetojnë momente kënaqësie dhe suksesi gjatë këtij viti të ri akademik”, deklaroi z. Saatler.

Përfaqësuesja e Këshillit Studentor, Desara Tollia, falenderoi universitetin për mundësitë e krijuara përgjatë këtyre viteve studimi. “Përgjate rrugëtimit tim sigurisht dhe unë kam hasur vështirësi, por me ndihmën e pedagogëve që më kanë orientuar drejtë dhe ma kanë bërë çdo situatë më të lehtë, çdo vështirësi e hasur është kaluar me sukses”.

Xhonledi Spahiu, në emër të studentëve të rinj, si dhe një nga përfitueset e bursave të ekselencës që Kolegji Universitar Bedër ka akorduar këtë vit, tregoi arsyet e përzgjedhjes së së këtij universiteti për të vazhduar rrugëtimin e saj universitar.

“Të merrja bursë nga ky institucion ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, për shkak të reputacionit të tij në lëmin e mësimdhënies. Ndershmëria, virtuoziteti dhe karizma janë disa nga vyrtytet të cilat përcjell Universiteti Bedër, për të cilën do të bëj të pamundurën për t’i përçuar më tej gjatë punës dhe jetës sime”.

Në vijim studentët e rinj u njohën me përbërjen e departamenteve përkatëse, si dhe me informacione bazë rreth universitetit.