Brajan Sukaj, fitues në Panairin e Librit 2019, i ftuar në Bedër

Shkrimtari dhe fituesi i çmimit të panairit "Tirana 2019" me romanin “Ciklopi”  Brajan Sukaj, ishte i ftuar nga Klubi i Librit në Kolegjin Universitar Bedër.

Takimi u hap nga pedagogu Agron Tufa, i cili bëri një panoramë të thukët të subjektit, tematikës ndërkohë që shprehu vlerësimin e tij për shkrimtarin e romanit.

“Dashuria amnore është e parëlindura, sublime dhe e aftë për çdo lloj sakrifice. Këtë sakrificë na e tregon përmes romanit”, tha Tufa.

Më tej u  diskutuan vështirësitë e procesit të shkrimit, dilemat, dhe premisat që merr autori, ndërsa z. Sukaj e cilësoi romanin e tij si logjikë e letërsisë amerikane, "Show but don't tell", duke pasur parasysh që në roman gjërat shfaqen edhe pse nuk thuhen.

Z. Sukaj u shpreh se romani trajton tematikën e të ndryshmit që përjashtohet nga shoqëria. Ndërsa letërsinë e cilësoi si plotësuese e historisë mbi gjërat që ndodhin, kanë ndodhur ose kanë gjasë të ndodhin.

Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim me studentët të cilët kishin kuriozitet mbi tematikën e trajtuar në roman dhe stilin e shkrimit.