Rikthim në Bedër si profesionistë

Në kuadër të aktivitetit “Rikthim në Bedër si profesionistë”, u zhvillua një bashkëbisedim mes të diplomuarve dhe studentëve të Departamentit të Drejtësisë. Të ftuar ishin Ermal Mema, i punësuar si asistent ligjor në studion “Bendo, Legal & Financial”, Mandrit Kamolli, i punësuar si asistent projektesh në organizatën “National Democratic Institute (NDI)” dhe Armando Sina, i punësuar si avokat pranë studios ligjore “ADCA”. Gjatë bashkëbisedimit, të ftuarit shpjeguan eksperiencën e tyre si studentë në Bedër dhe angazhimin e tyre në aktivitete ekstrakurrikulare, të cilat ndikuan në aftësimin e tyre të mëtejshëm, duke i mundësuar vazhdimin e studimeve master në vendet europiane, si: Francë, Angli dhe Itali. Më pas, u ndalën në eksperiencën e tyre të punës duke u dhënë studentëve këshilla dhe duke i orientuar rreth hapave që duhet të ndjekin, në mënyrë që të arrijnë të bëhen pjesë e tregut të punës. Aktiviteti u ndoq me interes nga studentët, të cilët krijuan kontakte me të diplomuarit.