Shpallen fituesit e esesë në gjuhën angleze

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Kolegjin Universitar Bedër, për të gjashtin vit radhazi, organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për konkursin e esesë në anglisht për nxënësit e shkollave të mesme. Në konkursin me temë: “Si ka ndikuar globalizimi në edukim dhe mundësitë e edukimit në botë”, morën pjesë 147 nxënës nga 32 shkolla të mesme, publike dhe private.

Programi filloi me fjalën përshëndetëse të Kreut të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. Lokman Coşkun, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe pjesëmarrësit në konkurs, duke theksuar rëndësinë e shkrimit në organizimin e mendimeve, ndjenjave, dhe ideve, si dhe përmirësimin e aftësive të komunikimit në anglisht.

Më pas fjalën e mori Zv. Rektori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe njëkohësisht Lektor në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. William K. Martin. Ai prezantoi temën “Elementet e Shkrimit Akademik”, ku rëndësi të veçantë i dha psikologjisë së shkrimit, procesit të ideimit, strukturës së esesë dhe paragrafit, dhe më e rëndësishmja: plagjiatura dhe frika më e madhe e një studenti- një fletë bosh.

Ceremonia u mbyll me ndarjen e çmimeve. Esetë më të mira nga shkollat publike u shpallën ato të: Emiliano Simakut, Eljo Lekës dhe Mikela Sulës; përkatësisht nga Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë.

Tre më të mirët nga shkollat private ishin: Breana Shehetila nga Kolegji “Turgut Özal”, Antonio Bitri nga Instituti “Harry Fultz” dhe Aurora Mana nga Kolegji “Mehmet Akif”. Eseja më e mirë e gjithë konkursit u shpall ajo e nxënëses Era Kasmi nga Kolegji “Turgut Özal”, Tiranë.

Fituesit përfitojnë bursë të plotë nga Kolegji Universitar Bedër, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë u vlerësuan me certifikatë pjesëmarrjeje.