Studentët e Drejtësisë në Bedër përfaqësojnë Shqipëri në Hagë

Studentët e Universitetit Bedër përfaqësojnë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Studentët e Drejtësisë të Kolegjit Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë për herë të 5-të, në Gjyqin Imitues të organizuar nga Universiteti i Leiden, Holland në partneritet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale "ICC" dhe Shoqata Ndërkombëtare e Avokatisë "IBA".

Studentet Anxhela Buzi, Elida Mëhalla, Fioralba Markja, Monika Kanaçi dhe Olivja Belishaku me pedagogun Dr. Nertil Bërdufi përbëjnë ekipin garues në këtë konkurs ndërkombëtar.

ICCMCC u përshëndet nga Prof. Carsten Stahn, Universiteti i Leiden; Prof. Michael Scharf nga CWR University, z. Joe Bell nga IBA dhe Gjyqtarja e GJNP Kimberly Prost.

Konkursi i simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale do të zhvillohet në datat 2 - 7 qershor, 2019 në Hagë, Holandë. Ky konkurs mirëpret universitete nga e gjithë bota, për një nivel të lartë të debatit, duke simuluar punimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Konkursi konsiston në një program të ngjeshur arsimor dhe social, prej gjashtë ditësh, duke sjellë së bashku studentë me prejardhje dhe kultura të ndryshme në Hagë, për të sfiduar aftësitë e tyre si avokatë të ardhshëm ndërkombëtarë.

Raundi përfundimtar pritet të zhvillohet në një sallë gjyqi aktuale me trup gjykues konkret të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Konkursi përfshin bashkëpunimin me gjyqtarë nga gjykata ndërkombëtare, profesorë të së drejtës ndërkombëtare (penale) dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Ky rrjet e bën konkursin një simulim real të seancave që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Çështjet e konkursit i drejtohen çështjeve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare si procedurale ashtu dhe substanciale.

70 ekipe nga 55 vende të ndryshme të botës janë regjistruar në edicionin e vitit 2019 në konkursin e simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Për herë të parë merr pjesë edhe një ekip përfaqësues nga Rusia.

Mbështetja e studentëve në aktivitete brenda dhe jashtë vendit dhe aftësimi i tyre për të garuar me kolegët e tyre në gjithë botën, është një nga prioritetet kryesore që ka Universiteti Bedër.