Zhvillohet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame (ISCON), me temë: “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”. Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe me Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane. Konferenca mblodhi së bashku studiues nga vende të ndryshme të botës, akademikë, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe studentë.

Në seancën përshëndetëse ishin të pranishëm H. Skender Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si dhe znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj, u ndal në punën dhe kontributin e deritanishëm të institucionit që ai përfaqëson në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë dhe rolin jetik të gruas në stabilitetin dhe progresin e shoqërisë sonë.

“Në Shqipëri femrat myslimane janë aktive në jetën shoqërore në role të ndryshme, si mësuese, mjeke, inxhiniere, politikane etj, duke ofruar një model dhe një kontribut të rëndësishëm në progresin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë sonë. Por, nga ana tjetër, është për të ardhur keq kur sheh se akoma ndeshemi me problemin e dhunës ndaj gruas, dhunës në familje, fakt ky që është një ndër shkaqet kryesore të numrit e lartë të divorceve në vend. Prandaj le të shërbejë kjo konferencë si një tjetër kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të rolit të gruas në të gjitha sferat e shoqërisë”, tha z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.

Sesioni vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u përqendrua në kontekstin historik të zhvillimit të figurës së gruas në shoqërinë tonë ndër vite.

“Po të hedhim vështrimin pas dhe të shohim rrethanat historike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, figura e gruas shfaqet në përpjekje të përhershme për të fituar të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri. Nisur nga kjo mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë, në forma dhe mënyra të ndryshme, për barazinë e gruas në të gjitha aspektet e jetës sociale. Mendoj se punimet e kësaj konference, ashtu si e shumë platformave të tjera të ngjashme të zhvilluara më parë, do të kontribuojnë akoma më shumë në konsolidimin e mëtejshëm të gruas në të gjitha sferat e jetës publike e sociale të shekullit në të cilin jetojmë”, theksoi Prof. Dr. Ferdinand Gjana.

Ndërsa Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si përfaqësues i këtij komuniteti në punimet e konferencës së sotme, falënderoi për bashkëpunimin Kolegjin Universitar Bedër dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për bashkëpunimin në trajtimin e një teme kaq të veçantë, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe atë globale gjithashtu.

“Referuesit e sotëm do të hedhin dritë mbi tematika të ndryshme që prekin përfshirjen social-kulturore të gruas myslimane në shoqërinë ku ato jetojnë. Një pikë mjaft e rëndësishme e kësaj konference është edhe evidentimi i zgjidhjeve më të aplikueshme për çdo problematikë aktuale të rolit të femrës në shoqërinë e shekullit 21”, tha  Dr. Mohammed Bechari.

Më tej znj. Loreta Aliko, Kryetares së Komitetit Shtetëror për Kultet, ndau me të pranishmit fjalën e saj përshëndetëse.

“Gratë përfaqësojnë një kontingjent të çmuar për çdo sistem politiko - ekonomik, për vetë bagazhin e tyre intelektual, për intuitën e natyrshme që mbartin, për energjitë e pashtershme që posedojnë. Fuqizimi i gruas është parësor për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë, të hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomiko - sociale”, tha ndër të tjera znj. Loreta Aliko.

Konferenca u zhvillua më tej me referimin e temave të ndryshme që preknin aspekte të shumëllojshme të rolit të gruas sipas këndvështrimit Islam në shoqërinë e shekullit 21, të tilla si: “Kontributi patriotik, emancipues dhe kulturor i gruas myslimane në historinë e Shqipërisë”, “Divorci dhe dhuna në familje, plagë të shoqërisë moderne”, “Roli gruas në edukimin e brezave, bazuar në revistat kulturore islame”, “Analizë sociologjike e fesë, edukimit dhe familjes: shembulli i rolit të gruas në Islam”, etj.