Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Gjergj Sinani priti në një takim kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, Dr. Gentiana Sula.
Gjatë takimit u diskutua rreth fushave të mundshme të bashkëpunimit si kërkimi shkencor, edukimi qytetar dhe përkujtimi i ngjarjeve të ndodhura gjatë diktaturës.
Në fund të takimit, Prof. Sinani dhe Dr. Sula firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Mbas takimit me rektorin, Dr. Sula zhvilloi një leksion të hapur me anëtarë të stafit dhe studentë të Kolegjit Universitar “Bedër”.
Ajo shpjegoi sesi gjatë analizës së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit del në pah funksionimi i shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së komunizmit.
Gjatë leksionit, Dr. Sula u ndal edhe te rëndësia që ka arsimi dhe kërkimi shkencor në përcjelljen e historisë dhe fakteve të së shkuarës te brezat e rinj.
Të pranishmit drejtuan pyetje dhe ngritën diskutime rreth dosjeve të publikuara, informacioneve që mbartin, gjuhës së përdorur dhe cënimit të së drejtave themelore të njeriut gjatë sistemit komunist.