Kolegji Universitar Bedër zhvillon Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër organizoi Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim (ICCMS) me temë: “Komunikimi dhe zhvillimet e medias në epokën e dezinformimit dhe sfidave globale”.
Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Shqiptar të Medias dhe bëri bashkë 50 pjesëmarrës, akademikë dhe studiues, përfaqësues nga 20 universitete dhe nga 40 shtete të ndryshme. 
 
Fjalën e parë përshëndetëse e mbajti Dr. Erlis Çela, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në KU Bedër dhe njëkohësisht Kryetari i Konferencës. Dr. Çela shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë me qëllimin kryesor për të ndarë përvojat e tyre dhe rezultatet e kërkimit rreth çështjeve që lidhen me dezinformimin dhe ndikimin e sfidave globale.
 
“Kjo konferencë është kthyer në një takim tërheqës akademikësh dhe studiuesish. Lajmet e rreme, teoritë e konspiracionit, propaganda dhe gjithë çrregullimi i informacionit janë tani sfidat kryesore jo vetëm për audiencën dhe përdoruesit e mediave sociale, por edhe për gazetarët profesionistë dhe ekspertët e komunikimit në mbarë botën”.
 
Më tej rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani përshëndeti të pranishmit dhe i uroi suksese tē gjithë studiuesve dhe akademikëve. 
 
“Politikanëve u interesojnë ndjenjat e njerëzve dhe jo mendimet e tyre. Kushdo që kontrollon emocionet, është në të njëjtën kohë ai që manipulon më së miri mendimet e turmës. Njerëzit kanë vetëm dy mënyra për të shprehur mendimet e tyre: të folurin dhe të drejtat. Sa më naivë të jenë, aq më e mundur është që të komandohen”.  
 
Zv.rektori i Universiteti të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti gjithashtu shprehu nderimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë me rëndēsi ndërkombëtare.
 
Të ftuar si folës kryesorë të kësaj konference ishin Prof. Thomas A. BAUER, Profesor Emeritus në Departamentin e Komunikimit në Universitetin e Vjenës, Austri dhe Prof. Lindita Camaj, Profesoreshë e Asociuar dhe Drejtoreshë e Studimeve Pasuniversitare në Shkollën e Komunikimit “Jack J. Valenti”, Universiteti i Houston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Profesor Bauer foli mbi konceptin e socializimit si diçka që ka kuptimin e të qenit të bashkuar. Kriza të tilla si ndryshimi klimaterik, demokracia, lufta, pandemia, edhe pse në pamjë të parë mund të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, në fakt të gjitha lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet vëzhgimit. 
 
“Komunikimi është “shembja” e realitetit. Ne nuk i përshkruajmë gjërat ashtu siç ato janë në të vërtetë; ne i përshkruajmë ato, ashtu siç ne i vëzhgojmë dhe perceptojmë. Teoritë përdorin modele logjike të vëzhgimit në mënyrë që të pasqyrojnë vlefshmërinë dhe besueshmërinë e vëzhgimit intuitive”.
 
Ndërsa Prof. Camaj foli mbi logjikën e audiencës si një kurë e “Krizës së Besueshmërisë” në Gazetari. 
 
“E gjithë çështja nuk është thjesht të raportojmë dhe pasqyrojmë lajme tek audienca; duhet gjithashtu t’u gjejmë zgjidhje atyre. Në të njëjtën kohë, gazetaria luan një rol të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të besimit, jo vetëm për veten, por edhe për institucionet e tjera shoqërore. Sfida e vetme më e madhe me të cilën përballet gazetaria sot është mungesa e besimit të publikut në të. Kjo nuk është një sfidë e re, por është e vazhdueshme dhe ka ardhur duke u përkeqësuar”.
 
Konferenca vijoi me sesionet paralele on-site dhe online të ndara në disa seksione, ku pjesëmarrësit prezantuan punimet e tyre, duke angazhuar plotësisht audiencën dhe studentët në pyetje-përgjigje dhe komente.
 
Në mbyllje të konferencës, studiuesit dhe akademikët e pranishëm dhanë përshtypjet e tyre mbi tematikat e trajtuara në konferencë, duke vlerësuar punën kërkimore të gjithësecilit.