Leksion i hapur: "Sfidat e konsumatorëve shqiptarë në kuadër të procesit të integrimit”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Konsumatorëve, Departamenti i Drejtësisë pranë Kolegjit Universitar “Bedër” në bashkëpunim me Qendrën “Konsumatori Shqiptar” organizuan së fundi leksionin e hapur me temë “Sfidat e konsumatorëve shqiptarë në kuadër të procesit të integrimit”, me lektore Prof. Asoc. Dr. Ersida Teliti.

Prof. Teliti shpjegoi me detaje për të pranishmit raste konkrete mbi të drejtat e cënuara të konsumatorit. Ligjërata interesante solli në vëmendje sfidat me të cilat ndeshen konsumatorët, si: mungesa e informacionit, mungesa e transparencës dhe mungesa e vëmendjes nga autoritetet përgjegjëse, etj.

Gjithashtu prof. Teliti u fokusua në metodologjinë e mbrojtjes së konsumatorëve nga autoritetet shtetërore si dhe rëndësinë e organizatave jofitimprurëse, veçmas në të drejtën për t’u ankimuar si dhe në zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve mes palëve.

Në leksionin e hapur ishin ishin ftuar jo vetëm studentë të Drejtësisë, por edhe anëtarë të personelit akademik, të cilët diskutuan dhe shprehën idetë e tyre rreth këtij procesi.