Studentët e Departamentit të Drejtësisë, vizitë në Kryesinë e Kuvendit

Studentët e Departamentit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan ditën e sotme një vizitë në Kryesinë e Kuvendit në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

 

Gjatë kësaj vizite studentët morën pjesë në aktivitetin më temë “Kuvendi i Vlorës”, organizuar nga Instituti Parlamentar.

Takimin e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Parlamentar, z. Elvin Gjevori, i cili i njohu të pranishmit me disa nga aktivitetet kryesore të Institutit dhe në mënyrë të veçantë veprimtaritë në kuadrin e 110-vjetorit të Pavarësisë.

Aktivitetin e përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla e cila nënvizoi rëndësinë e njohjes së rinisë me një seri kumtesash e ligjëratash mbi aspekte të ndryshme të shpalljes së pavarësisë, momente me rëndësi historike, informacione arkivore, analiza të ngjarjeve dhe figurave të spikatura. Ndërsa për rëndësinë e Kuvendit të Vlorës në shpalljen e pavarësisë dhe të ardhmen e Shqipërisë mbajti një ligjëratë Prof. Dr. Valentina Duka.

 

Takimi vijoi në formën e bashkëbisedimit mes Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Prof. Dr. Valentina Duka mbi rëndësinë e pavarësisë së Shqipërisë, aspekte të tjera të historisë së Shqipërisë dhe çështje aktuale të zhvillimit të vendit. Më pas studentët vizituan ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe ndërtesën e seancave plenare.