Zhvillohet Konferenca me titull “Zhvillimi i një shkalle për matjen e nivelit të EMI (Edukimi mbi Median dhe Informacionin) dhe testimi tek studentë të grupmoshës 18-24 vjeç”

Ditën e sotme u zhvillua Konferenca me titull “Zhvillimi i një shkalle për matjen e nivelit të EMI (Edukimi mbi Median dhe Informacionin) dhe testimi tek studentë të grup moshës 18-24 vjeç”. Ky ishte edhe aktiviteti përmbyllës i projektit me të njëjtin emër. Gjatë konferencës u prezantuan gjetjet e projektit të ndara në dy pjesë që përkojnë me dy objektivat kryesore të projektit.

 

Pjesa e parë e projektit lidhet me ndërtimin e një shkalle për matjen e nivelit të EMI ( Edukimi mbi Median dhe Informacionin), duke parë dhe analizuar modele të ndryshme teorike dhe metodologjike të mëparshme, si dhe ato të aplikuara në këtë projekt si dhe në këtë disiplinë të Edukimit mbi Median. Ndërsa pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me testimin e kësaj shkalle matëse te studentët në universitete shqiptare. Edukimi mbi median dhe Informacioni u mat në 11 dimensione të tilla si përdorimi; të menduarit; verifikimi; analiza; krijimi; shpenzimi; lidhja; informimi; mbrojtja; zgjedhja; pjesëmarrja. 

 

Sipas gjetjeve të projektit, niveli i edukimit mbi median dhe informacionin, i matur përmes një shkalle nga 1-5, varion nga dimesioni i mbrojtjes që është niveli më i ulët me 3.22, deri te dimensioni i analizës, i cili rezulton në nivelin më të lartë, 3.94. Në testimin e shkallës morën pjesë mbi 270 studentë nga Kolegji Universitar “Bedër”, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. I gjithë aktiviteti u konceptua në formën e një konferencë-workshop, ku pas prezantimit të rezultateve, pati pyetje dhe u zhvilluan diskutime. Përgjatë diskutimeve u theksua nevoja e sotme për EMI-n dhe sidomos nevoja për t’u matur, jo vetëm te studentët por edhe në nivele të tjera shoqërore, si dhe risitë që sjell projekti në vendin tonë. 

 

Studimi u realizua nga anëtarë të Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër” Dr. Erlis Çela, MSc. Alban Tufa dhe MSc.  Melsena Danglli. Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”.